Vrasja në Ksamil, Sokrat Vata hesht para hetuesve – dëshmojnë shtetasit turq dhe miqtë e viktimës
Sokrat Vata, 29-vjeçari i arrestuar në lidhje me vrasjen e turistit portugez në Ksamil, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por ka zgjedhur të mos japë deklarime për ngjarjen.
Ndërkohë, hetimet kanë vijuar me marrjen në pyetje të dy shtetasve turq, të cilët ndodheshin me Vatën në momentin kur ky i fundit po largohej nga vendi i ngjarjes.
Të marrë në pyetje në prani të përkthyesve, shtetasit turq kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe se kishin një marrëdhënie shoqërore me 29-vjeçarin. Sipas dëshmisë së tyre, Vata ofronte shërbime si bodigard dhe shoqërues personal, ndërsa ata e kishin marrë në automjet për shkak të njohjes që kishin me të.
Në kuadër të hetimit janë marrë në pyetje edhe miqtë e viktimës, të cilët kanë treguar versionin e tyre për mënyrën se si nisi konflikti.
Sipas dëshmive, përplasja dyshohet të ketë nisur pas një incidenti që lidhej me ngacmimin e një vajze brenda ambienteve të lokalit. Situata më pas është përshkallëzuar, duke përfshirë disa persona dhe duke kaluar në përleshje fizike.
Në konflikt kanë ndërhyrë edhe pjesëtarë të sigurisë së lokalit, ndërsa turisti 20-vjeçar portugez dyshohet se ka ndërhyrë vetëm me qëllim për të ndarë personat që po konfliktoheshin. Pak më pas, ai është goditur dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, rolin e personave të përfshirë dhe rrethanat që çuan në përfundimin tragjik.
