NATO reagon pas letrës së Vuçiqit për KFOR-in dhe urën e Mitrovicës
NATO ka reaguar pas letrës së dërguar më 20 gusht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte.
Në letrën e bërë publike nga vetë Vuçiq, presidenti serb i ka kërkuar NATO-s që KFOR-i të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë së tij të përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Vuçiq ka ngritur një sërë pretendimesh lidhur me situatën e komunitetit serb në Kosovë, duke kërkuar, ndër të tjera, ndalimin e asaj që ai e përshkruan si “terror ndaj serbëve”, përndjekje dhe arrestime, si dhe çështjen e hapjes së urës mbi Ibër.
Në lidhje me letrën, një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se Mark Rutte është në kontakt të rregullt me presidentin serb.
Sipas zyrtarit të Aleancës, KFOR-i ka nisur një tranzicion gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, duke e lidhur këtë vendim me përmirësimin e përgjithshëm të situatës së sigurisë.
NATO ka theksuar kështu se ndryshimi i pranisë së KFOR-it në urë është pjesë e një procesi gradual, ndërsa zhvillimet në terren dhe situata e sigurisë vijojnë të monitorohen nga misioni i Aleancës në Kosovë.
