Karburantet shtrenjtohen sërish në Shqipëri, ja sa kushtojnë nafta dhe benzina
Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë shënuar një tjetër rritje. Nafta po tregtohet me 219 lekë për litër, nga 215 lekë që ishte më parë, duke u shtrenjtuar me 4 lekë.
Rritja ka qenë edhe më e lartë për benzinën. Çmimi i saj është rritur me 7 lekë për litër, nga 198 lekë në 205 lekë.
Shtrenjtimi në tregun vendas vjen në një periudhë kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur me rreth 3% brenda 24 orëve. Ndërkohë, nafta Platts, e cila përdoret si një nga referencat për përllogaritjen e kostove të importit dhe çmimeve të karburanteve në Shqipëri, raportohet të jetë në nivelin e 1,450 dollarëve për ton.
Importuesit vendas paralajmërojnë se presioni mbi çmimet mund të rritet më tej nëse konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet. Sipas tyre, në rast të një situate të tillë, një ndër masat që mund të ndihmonte në frenimin e rritjes së çmimeve në pikat e karburantit do të ishte ulja e barrës fiskale.
Në tregjet ndërkombëtare, vëmendja mbetet e përqendruar te Ngushtica e Hormuzit, një pikë strategjike për furnizimin energjetik botëror. Përmes kësaj rruge detare kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Çdo bllokim i Hormuzit apo përshkallëzim i konfliktit në rajon mund të shkaktojë tronditje të mëtejshme në tregjet energjetike dhe të rrisë kostot e naftës në nivel global.
Analistët nuk përjashtojnë një rritje të mëtejshme të çmimit të Platts, deri në rreth 2,000 dollarë për ton, nëse situata në Lindjen e Mesme përkeqësohet.
Ndërkohë, rritja e çmimit të naftës Brent mbi 91 dollarë për fuçi tregon se tregjet po përfshijnë në çmime rrezikun e ndërprerjes së furnizimeve nga Lindja e Mesme.
