Skip to content

Tentoi të vidhte në një banesë në Tiranë, kapet në flagrancë emigranti nga India

Tentoi të vidhte një banesë në Tiranë, kapet mbi çati 31-vjeçari nga India

Një 31-vjeçar me origjinë nga India është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se tentoi të hynte në një banesë në zonën e Kombinatit me qëllim vjedhjen. I riu u kap nga efektivët mbi çatinë e banesës, përpara se të arrinte të futej brenda.

Ngjarja u regjistrua në rrugën “Veli Vraniqi”, gjatë orëve të vona të natës. Pronari i banesës, shtetasi me inicialet E.P., ka konstatuar një person mbi çati pasi kishte dëgjuar zhurma të dyshimta nga jashtë. Ai njoftoi menjëherë Policinë.

Efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 mbërritën në vendngjarje dhe rreth orës 01:10 të datës 23 gusht bënë të mundur zbritjen nga çatia dhe arrestimin e 31-vjeçarit.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Manpreet Nanak Chand Manpreet dyshohet se kishte tentuar të hynte në banesë përmes një dritareje të vogël në çati, me qëllim marrjen e sendeve me vlerë. Megjithatë, plani i tij nuk u realizua, pasi u pikas nga i zoti i shtëpisë dhe u ndalua nga policia.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se i riu ishte shoqëruar edhe dy ditë më parë në Komisariatin Nr. 6, pas një konflikti me një qytetar. Ai dyshohet se i kishte dëmtuar xhamin e automjetit dhe ishte lënë i lirë për t’u hetuar në gjendje të lirë.

Për rastin e fundit, ndaj 31-vjeçarit është ngritur akuza për “Vjedhje” të mbetur në tentativë. Me kërkesë të prokurorit Petrit Vukaj, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjykata e ka argumentuar vendimin edhe me rrezikun që i dyshuari mund të largohet nga Shqipëria. Gjatë seancës gjyqësore, 31-vjeçari ka zgjedhur të mos japë dëshmi, duke deklaruar se do të flasë në një moment tjetër.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e veprimeve për të cilat ai dyshohet.

Published inNews Shqip