Rama sulmon Berishën në 35-vjetorin e PS-së: “Mbeturina e komunizmit në formën më të neveritshme”
Në ceremoninë e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, të zhvilluar në Durrës, kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama, ka sulmuar ashpër kreun e opozitës, Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te raporti i Partisë Socialiste me të kaluarën komuniste, duke theksuar se sipas tij PS është shkëputur nga komunizmi dhe ka refuzuar sistemin diktatorial.
Rama tha se Partia Socialiste është një forcë politike liberale dhe e lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare, por sipas tij, ajo e ka bërë të qartë qëndrimin ndaj periudhës së diktaturës që në hapat e saj të parë.
“PS është një parti liberale dhe e lidhur ngushtë me atë Luftë Nacionalçlirimtare që e vendosi Shqipërinë në krahun e duhur të historisë. Por PS e ka pasur të qartë që në fillimet e saj raportin me atë pjesë që na lidh me diktaturën komuniste”, deklaroi Rama.
Më tej, kryeministri drejtoi sulmin e tij ndaj opozitës dhe Sali Berishës, duke përdorur një gjuhë të ashpër.
Sipas Ramës, ndërsa PS ka refuzuar komunizmin si sistem, kundërshtarët e saj politikë vazhdojnë të merren me luftën ndaj komunistëve dhe jo me vetë ideologjinë komuniste.
“Nuk është rastësi që sot, në anën tjetër, vazhdon dhe mbijeton në krye të asaj që gabimisht quhet opozitë, një mbeturinë e komunizmit, të komunizmit në formën e vet më të neveritshme”, u shpreh ai.
Rama iu referua gjithashtu ish-presidentit çek Václav Havel, duke e lidhur deklaratën e tij me konceptin e “komunistit-antikomunist”.
Deklaratat e kryeministrit u bënë në një prej aktiviteteve për përvjetorin e 35-të të Partisë Socialiste, duke rikthyer në qendër të vëmendjes përplasjen politike mes mazhorancës dhe opozitës.
