Mbledhje me dyer të mbyllura në Kryeministri/ Edi Rama zhvillon takimin me ministrat
Prej rreth një ore, kryeministri Edi Rama mësohet se po zhvillon një takim me dyer të mbyllura në Kryeministri. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të plota mbi përmbajtjen e mbledhjes apo çështjet që po diskutohen.
Sipas burimeve mediatike, takimi me ministrat ka nisur mëngjesin e kësaj të enjteje, rreth orës 10:00. Mbledhja zhvillohet një ditë përpara takimit të planifikuar me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, që pritet të zhvillohet nesër nën drejtimin e kryeministrit Rama.
Në këto takime, kreu i qeverisë pritet t’u kërkojë drejtuesve politikë të shpjegojnë dhe të prezantojnë dokumentet strategjike të partisë, të njohura si “Besa” dhe “Prania Besnike”.
Ndërkohë, në media është përfolur prej ditësh se në muajin shtator kryeministri Edi Rama mund të ndërmarrë ndryshime në kabinetin qeveritar. Raportohet se bëhet fjalë për rreth 6 ndryshime, me synimin për të sjellë një tjetër ritëm dhe energji në qeverisje.
Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga Kryeministria lidhur me ndryshimet e mundshme apo vendimet që mund të merren pas këtyre takimeve.
