Skip to content

Ministria e Arsimit me një njoftim të rëndësishëm para nisjes së vitit shkollor

Viti i ri shkollor nis më 14 shtator, ja ndryshimet e reja që priten në shkolla

Viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator dhe këtë vit nxënësit do të përballen me disa rregulla dhe ndryshime të reja. Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzuesin për organizimin e fillimit të vitit shkollor, duke i kushtuar rëndësi të veçantë ditës së parë.

Dita e parë nuk do t’i kushtohet zhvillimit të mësimit të zakonshëm, por orientimit të nxënësve dhe njohjes së tyre me rregullat që duhet të respektojnë gjatë qëndrimit në institucionet arsimore.

Në klasa do të trajtohen çështje që lidhen me sigurinë, rregullat e veshjes, përdorimin e telefonave celularë, ushqyerjen e shëndetshme, respektin reciprok dhe mënyrën e bashkëjetesës brenda komunitetit shkollor.

Sipas udhëzuesit, në procesin e informimit dhe orientimit të nxënësve do të përfshihet i gjithë stafi i shkollës. Mësuesit, kujdestarët e klasave, shërbimi psiko-social, oficerët e sigurisë dhe punonjësit e tjerë do të kenë rol në shpjegimin dhe zbatimin e rregullave.

Një tjetër risi është përfshirja e një neni të posaçëm për identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve në institucionet arsimore.

Zyrat vendore arsimore do të duhet të caktojnë koordinatorë për menaxhimin e riskut dhe të krijojnë regjistra ku shkollat do të kategorizohen në bazë të nivelit të rrezikut.

Vlerësimi i situatës do të kryhet përmes mbledhjes së të dhënave, anketave dhe kontrolleve në terren. Në rast se evidentohen problematika, drejtuesit e shkollave do të kenë përgjegjësi për marrjen e masave për parandalimin dhe reduktimin e tyre.

Për çështjet që tejkalojnë kompetencat e institucionit arsimor, shkollat do të bashkëpunojnë me pushtetin vendor, Policinë dhe shërbimet shëndetësore.

Edhe gjatë këtij viti shkollor, një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet parandalimit të dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Udhëzuesi nënvizon nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë mes stafit të shkollës, prindërve dhe komunitetit, me synim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për nxënësit.

Nëse dëshironi të na ndihmoni në mirëmbajtjen e faqes dhe vazhdimin e punës sonë, do t’ju jemi shumë mirënjohës nëse klikoni mbi foton që ndodhet më poshtë. Mbështetja juaj është shumë e rëndësishme për ne. Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen!

Published inNews Shqip