Skip to content

Sali Berisha drejt SHBA-së, zbulohet data e udhëtimit të ish-kryeministrit

Berisha drejt SHBA-së? Dokumentet zbulojnë detaje për një udhëtim të mundshëm në shtator

Pas heqjes së kufizimit për udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara në qershor 2026, Sali Berisha ka deklaruar në disa raste se synon të udhëtojë së shpejti drejt SHBA-së.

Të dhëna të reja lidhur me një udhëtim të mundshëm të kreut të Partisë Demokratike janë bërë publike nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, i cili ka siguruar nga burime diplomatike dokumente që lidhen me pjesëmarrjen e Berishës në një aktivitet politik në SHBA.

Sipas dokumenteve, Berisha është ftuar të jetë pjesë e një delegacioni të “International Democrat Union” (IDU) në Konventën Kombëtare Republikane, e cila pritet të zhvillohet në Dallas më 9 dhe 10 shtator.

Në dokumentin e dërguar Berishës, titulli i të cilit është “Konfirmim i pjesëmarrjes suaj në delegacionin e IDU-së në Konventën Kombëtare Republikane”, thuhet se pjesëmarrja e tij konsiderohet e rëndësishme për këtë aktivitet.

Në letër theksohet gjithashtu se informacionet e mëtejshme mbi lëvizjet e delegacionit, akreditimin dhe programin e aktivitetit do t’u përcillen pjesëmarrësve nga sekretariati i IDU-së.

Ndërkohë, një dokument tjetër i siguruar nga Top Channel, i datës 7 gusht dhe i lëshuar nga Instituti Amerikan i Trajnimit, konfirmon regjistrimin e Berishës si pjesëmarrës në Konventën Kombëtare Republikane.

Pas këtij konfirmimi, sipas burimeve të raportuara, kanë nisur edhe përpjekjet në Tiranë për krijimin e kushteve të nevojshme për udhëtimin e tij.

Burime nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë bërë të ditur se Gazment Bardhi, në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka paraqitur një kërkesë për pajisjen me një notë verbale shtetërore.

Sipas të njëjtave burime, dokumenti synon të ndihmojë në mundësimin e pjesëmarrjes së Berishës në aktivitetin politik të republikanëve amerikanë.

Nëse procedurat përkatëse përfundojnë, pjesëmarrja e Berishës në aktivitetin e planifikuar në Dallas mund të shënojë edhe një nga udhëtimet e tij të para drejt SHBA-së pas heqjes së kufizimit për udhëtim.

 

Published inNews Shqip