Rritet bilanci i viktimave nga virusi i Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut
Bilanci i viktimave të shkaktuara nga virusi i Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në gjashtë. Viktima e fundit është një 72-vjeçar nga Shkupi, i cili ka humbur jetën në spital pas një qëndrimi më shumë se dy javë nën kujdesin mjekësor.
Vdekja e tij është regjistruar në një periudhë kur vendi po përballet me shtim të ndjeshëm të rasteve të infektimit. Deri tani janë konfirmuar 51 raste, me pjesën më të madhe të të prekurve të regjistruar në rajonin e Shkupit.
Sipas të dhënave të raportuara, grupmoshat mbi 60 vjeç janë më të prekura nga infeksioni. Në disa prej rasteve, virusi ka shkaktuar komplikime serioze në sistemin nervor, përfshirë encefalitin dhe meningjitin.
Shpejtësia me të cilën janë shtuar rastet ka ngritur shqetësim tek autoritetet shëndetësore. Në fund të korrikut ishin evidentuar vetëm tetë persona të infektuar, ndërsa brenda disa javësh shifra është rritur në 51.
Bëhet fjalë për një nga situatat më të rënda të regjistruara në vend lidhur me virusin e Nilit Perëndimor që prej vitit 2011, kur u evidentuan rastet e para të infeksionit në Maqedoninë e Veriut.
Për shkak të përhapjes së virusit, autoritetet kanë shpallur situatë epidemike në disa zona të Shkupit. Paralelisht, janë intensifikuar masat për kontrollin e popullatës së mushkonjave, të cilat janë bartëse të virusit, si dhe mbikëqyrja epidemiologjike për identifikimin në kohë të rasteve të reja.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të marrin masa për t’u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave, veçanërisht personat e grupmoshave më të rrezikuara.
