Skip to content

A po largohet “Ecolog” si sponsor i Shkëndijës? Vjen reagimi i Lazim Destanit

Klubi Futbollistik Shkëndija ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), duke shprehur pakënaqësi dhe revoltë të thellë. Sponsori kryesor i klubit tetovar e ka cilësuar këtë vendim si “skandaloz” dhe ka paralajmëruar mundësinë e tërheqjes nga futbolli në Maqedoninë e Veriut, nëse ai nuk rishikohet dhe korrigjohet urgjentisht.

Në komunikatën për media, drejtuesit dhe sponsori i Shkëndijës theksojnë se klubi ka qenë gjithmonë shembull i seriozitetit, korrektësisë dhe përmbushjes së të gjitha obligimeve sportive dhe financiare, duke bërë sakrifica të mëdha ndër vite.

“Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ka ngritur koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga sezoni i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në garat evropiane”, thuhet në reagim.

Sipas sponsorit të klubit, vendimet e marra “në tavolinë” po dëmtojnë projekte serioze dhe të qëndrueshme, duke u konsideruar si goditje ndaj kontributit shumëvjeçar të investitorëve.

Ky zhvillim ka bërë që investitorët e klubit të vënë në pikëpyetje vazhdimin e angazhimit të tyre në futbollin vendor.

“Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi dhe nga futbolli në Maqedoninë e Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, ne do të shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtejshëm, pasi ai cenon të drejtat dhe politikat e klubit”, paralajmërohet në reagim.

Në fund, KF Shkëndija i bën thirrje organeve të FFM-së që të reflektojnë me urgjencë, në mënyrë që të mbrohet drejtësia sportive, interesat e klubit dhe e ardhmja e futbollit në vend.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *