Tre shqiptarë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në autostradën Athinë–Korinth, pranë pikës së pagesës në Elefsina të Greqisë.
Sipas televizionit publik grek ERT, të cituar nga noa.al, aksidenti ndodhi pak para mesnatës, në orët e para të së premtes. Dy motoçikleta, të cilat po lëviznin në të njëjtin drejtim, drejt Athinës, u përplasën me njëra-tjetrën.
Si pasojë e përplasjes, më rëndë është plagosur një 42-vjeçar shqiptar, drejtues i njërës prej motoçikletave. Ai u transportua për ndihmë mjekësore në spitalin Thriasio.
Ndërkohë, dy shqiptarët e tjerë, rreth 30 vjeç, kanë pësuar lëndime më të lehta dhe janë dërguar në spitalin Tzaneio për të marrë trajtimin e nevojshëm.
Policia Rrugore greke ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e personave të plagosur. /noa.al
