Reagimi i fundit i moderatores së njohur, Alketa Vejsiu, mbi protestat e zhvilluara në Tiranë ka nxitur diskutime të shumta dhe reagime të ndryshme në rrjetet sociale.
Përmes një postimi të gjatë, të publikuar në disa imazhe, ajo tha se e ka ndjekur me vëmendje atë që është quajtur “Revolucioni i Flamingove”, duke vlerësuar angazhimin e shoqërisë civile, qytetarëve dhe të rinjve si një shprehje të një Shqipërie demokratike dhe të lirë.
Vejsiu u shpreh se fillimisht kishte zgjedhur të mos komentonte, pasi nuk e konsideron veten eksperte të çështjes, por më pas vendosi të ndajë publikisht mendimin e saj.
Në reagimin e saj, moderatorja u shpreh në favor të zhvillimit ekonomik të vendit dhe investimeve strategjike të huaja, duke përmendur projekte si ato në Sazan dhe Zvërnec. Sipas saj, prania e markave prestigjioze të hotelerisë ndërkombëtare, si Aman, Four Seasons dhe The Peninsula, mund të ndikojë në rritjen e turizmit elitar në Shqipëri.
Ajo theksoi se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës nuk duhet të shihen si procese kundërshtuese, por si elementë që mund të bashkëjetojnë përmes një modeli të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin. “Pse të mos i duam të dyja? Edhe Amanin, edhe flamingot”, shkroi ajo në postimin e saj.
Megjithatë, Vejsiu nënvizoi se çdo projekt i tillë duhet të shoqërohet me transparencë të plotë, standarde të larta mjedisore, paga dinjitoze për punonjësit dhe garantimin e aksesit publik në plazhe. Në fund, ajo ngriti pyetjen nëse debati mund të shihet nga një këndvështrim tjetër, duke sugjeruar se zhvillimi i vendit nuk duhet parë domosdoshmërisht si një formë shitjeje e pasurive kombëtare.