Skip to content

Arrestimi i Vlora Hysenit/ Rama reagon për herë të parë: Ja deklarata e tij

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Nju Jorku pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Rama tha se pret që çdo dyshim i ngritur nga organet e drejtësisë të hetohet dhe të sqarohet plotësisht përmes një procesi të pavarur gjyqësor. Ai u shpreh se, pavarësisht vlerësimit për punën e Hysenit dhe marrëdhënieve të saj me agjencitë partnere, drejtësia duhet të veprojë ndaj kujtdo, pa marrë parasysh funksionin apo statusin.

Kryeministri theksoi gjithashtu se një masë e drejtësisë ndaj një zyrtari publik nuk duhet të interpretohet automatikisht si përgjegjësi politike e mazhorancës qeverisëse.

Sipas Ramës, çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ndërsa askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, u shpreh Rama, duke shtuar se qeveria nuk do të ndërhyjë në çështjet që janë në duart e drejtësisë.

Në fund të reagimit, Rama bëri të ditur se lirimi i Vlorës Hyseni nga detyra është i menjëhershëm. Ai tha se pas kthimit në Tiranë do të konsultohet me Presidentin e Republikës për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Published inNews Shqip