Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës: “Qëndron në pushtet në kundërshtim me ligjin”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për uzurpim të postit dhe për shkelje të Kushtetutës.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha pretendoi se qeverisja e Ramës mbahet sipas tij mbi interesa të paligjshme dhe se largimi nga detyra do ta përballte me përgjegjësi të rënda penale.
“Në emër të Partisë Demokratike kërkoj dorëheqjen e Edi Ramës si uzurpator i postit të kryeministrit”, u shpreh Berisha.
Ai hodhi akuza edhe për çështje të ndryshme ekonomike dhe projekte publike, duke përmendur Portin e Durrësit dhe inceneratorët, për të cilat kërkoi hetim dhe përgjegjësi ligjore.
Berisha deklaroi se, sipas tij, Rama duhet të japë llogari për një sërë çështjesh që ai i cilësoi si abuzime me pushtetin.
Deri tani, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësuesit e mazhorancës nuk kanë dhënë një reagim për këto deklarata.


Be First to Comment