Gazetari Blendi Fevziu ka kritikuar presidentin Bajram Begaj për mënyrën se si ka reaguar ndaj situatës së tensionuar në Tiranë, ku protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje dhe incidente.
Në nisje të emisionit “Opinion”, Fevziu u shpreh se, gjatë karrierës së tij në gazetari që prej vitit 1991, nuk i kujtohej një rast i ngjashëm kur presidenti të mos ndërhynte më aktivisht përballë një situate të tillë.
Ai kritikoi faktin që Begaj reagoi përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se roli i kreut të shtetit duhet të jetë më i gjerë sesa një deklaratë në rrjetet sociale.
Sipas Fevziut, presidenti duhet të marrë një rol institucional në situata të tensionuara dhe të nxisë konsultimet mes forcave politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje përmes dialogut.
“Presidenti merr dhe bën një status në Facebook dhe bëhet si influencer. Presidenti nuk është as OSBE dhe as Ambasada Amerikane. Presidenti duhet të thërrasë partitë për konsultim me njëri-tjetrin”, deklaroi Fevziu në emisionin “Opinion”.
