Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të enjte qytetin e Shkodrës. Një 62-vjeçar, i identifikuar si Shqefën Ziqi, dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë gjahu bashkëshorten e tij, Bardhi Ziqi, 55 vjeçe, pranë biznesit të familjes në lagjen “Mark Lula”.
Të afërm dhe banorë të zonës shprehen se çifti njihej si i qetë dhe se nuk kishin dëgjuar më parë për konflikte mes tyre. Ngjarja, sipas tyre, ka ardhur krejt papritur dhe ka lënë të tronditur familjarët dhe komunitetin.
Kushërira e 62-vjeçarit, Zojë Nika, tha për mediat se nuk kishte dijeni për debate mes bashkëshortëve dhe i përshkroi të dy si njerëz të respektuar.
“Njeri shumë i mirë, edhe gruaja. Në këtë lagje, po të pyesësh këdo, nuk do të dëgjosh një fjalë të keqe për të. Na vjen shumë keq për atë që ka ndodhur. Të dy kanë qenë njerëz të mirë. Ishte një fatkeqësi. E kam kushëri, ndërsa për gruan kam pasur gjithmonë respekt, sepse ishte grua e urtë. Nuk kam dëgjuar kurrë për debate mes tyre. Kanë jetuar shumë mirë,” u shpreh ajo.

Be First to Comment