Një postim i bërë në rrjetet sociale nga Ledio Ruçi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka tërhequr vëmendjen dhe ka nxitur diskutime në internet.
Përmes një InstaStory, ai ka shpërndarë një fotografi që është përhapur gjerësisht ditët e fundit në rrjetet sociale. Në imazh shfaqet një banderolë e vendosur në ballkonin e një banese me mbishkrimin “Nuk ka shtet”, një mesazh që është interpretuar në forma të ndryshme nga komentuesit online.
Postimi vjen pak javë pasi Gramoz Ruçi u nderua me një dekoratë nga kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të organizuar për 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
Edhe pse Ledio Ruçi nuk ka dhënë asnjë shpjegim apo koment shoqërues për publikimin, fotografia e shpërndarë prej tij ka ngjallur interes të veçantë për shkak të debatit publik që po zhvillohet rreth projektit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Kjo çështje ka qenë në qendër të diskutimeve javët e fundit, duke sjellë reagime qytetare dhe protesta në Tiranë. Pjesëmarrësit kanë kërkuar më shumë transparencë dhe informacion mbi projektin, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vazhdim.
Në këtë klimë debati, postimi i Ledio Ruçit është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, duke shtuar interesin mbi mesazhin që përcjell fotografia e publikuar prej tij.