Duke filluar nga 1 tetori, përdoruesit e portalit e-Albania do të kenë një mënyrë të re për të marrë kodet e autentikimit. Kodet do të mund të dërgohen edhe përmes aplikacioneve Viber dhe WhatsApp.
Shërbimi do të përdoret për procedurat që kërkojnë autentikim në e-Albania, si dhe për proceset që lidhen me nënshkrimin elektronik. Në këtë mënyrë, përdoruesit do të kenë dy kanale shtesë për marrjen e kodeve të sigurisë.
Mesazhet zyrtare të dërguara në Viber ose WhatsApp do të përmbajnë vetëm kodin e nevojshëm për autentikim apo nënshkrim elektronik. Përdoruesve nuk do t’u kërkohet të japin të dhëna personale, informacione sensitive, të klikojnë në lidhje apo të kryejnë veprime të tjera.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo mesazhi që kërkon të dhëna shtesë ose ndërveprime të dyshimta.
Kodi i autentikimit është personal dhe duhet të përdoret vetëm për procedurën për të cilën është gjeneruar. Ai nuk duhet t’i dërgohet apo t’i bëhet i ditur asnjë personi tjetër.
