Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën, ku një 68-vjeçar dyshohet se ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, 58 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.
Ngjarja ka ndodhur në një banesë në rrugën “Panorama”, në zonën pas shkollës “Harry Fultz”. Sipas informacioneve paraprake, çifti kishte pasur konflikte edhe më herët, ndërsa motivi dhe rrethanat e plota të ngjarjes janë ende nën hetim.
Gruaja u plagos rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe dy të mitur dhe dhëndri i çiftit. Ata janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa dëshmitë e tyre po verifikohen në kuadër të hetimit.
Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga banesa dhe ishte shpallur në kërkim nga policia. Më pas, ai është lokalizuar dhe është dorëzuar në polici, ku është vënë në pranga dhe po merret në pyetje për ngjarjen.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit, zbardhjen e dinamikës së konfliktit dhe përcaktimin e motivit. Materialet procedurale pritet t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
