Bordi i Transparencës për çmimet e nënprodukteve të naftës dhe gazit ka zhvilluar mbledhjen e parë pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Në mbledhjen e zhvilluar më 19 shtator 2026, Bordi ka përcaktuar çmimet e reja tavan për shitjen me shumicë dhe pakicë të naftës dhe benzinës.
Sipas vendimit, çmimi maksimal me pakicë për gazoilin standard SSH EN 590 është vendosur në 219 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë kufiri është 207 lekë për litër.
Për benzinën standarde SSH EN, çmimi maksimal me pakicë është përcaktuar në 195 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë nuk duhet të kalojë 183 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi më 19 shtator, në orën 16:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës të Bordit, ku mund të përcaktohen ndryshime të reja në varësi të situatës së tregut.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë që të respektojnë çmimet e përcaktuara. Në rast konstatimi të shkeljeve, parashikohet edhe pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se masat synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës në tregun e hidrokarbureve.
