Tragjedi në Itali, humb jetën shqiptari 61-vjeçar Bashkim Rushani, artisti që la gjurmë në komunitetin italian
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Bashkim Rushani, 61 vjeç, ka humbur jetën tragjikisht pasi një portë e rëndë metalike e ka zënë poshtë gjatë punimeve në një pronë private në Casarano, në provincën e Leçes.
Aksidenti fatal ndodhi mëngjesin e 4 nëntorit, në zonën e njohur si Contrada Spagnolo. Sipas raportimeve të mediave italiane, Rushani, i cili zotëronte një kompani ndërtimi, po kryente riparime në shtyllat mbajtëse të një porte rrëshqitëse. Në një moment, struktura u shkëput papritur dhe ra mbi të.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, 61-vjeçari ndërroi jetë. Për të zbardhur rrethanat e aksidentit kanë nisur verifikimet nga karabinierët dhe inspektorët e sigurisë në punë.
Prokuroria e Leçes ka hapur një hetim për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes dhe nëse ka përgjegjësi të mundshme.
Nga emigrimi në Itali te pasioni për artin
Bashkim Rushani nuk ishte vetëm një sipërmarrës në fushën e ndërtimit, por edhe një artist i formuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Piktura dhe skulptura bashkëkohore ishin ndër pasionet e tij më të mëdha, të cilat i kultivoi përmes kurseve dhe pjesëmarrjes në ekspozita të ndryshme.
Rrugëtimi i tij në Itali nisi në vitin 1992, kur u largua nga Shqipëria me një prej anijeve që transportonin emigrantë drejt brigjeve italiane, duke shpresuar për një të ardhme më të mirë.
Ai zgjodhi të vendosej në Casarano, ku ndërtoi jetën dhe karrierën e tij, duke u bërë pjesë e komunitetit vendas. Pas disa vitesh fitoi edhe shtetësinë italiane. Për afro 30 vite punoi në sektorin e ndërtimit, pa hequr dorë asnjëherë nga dashuria për artin.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë miqtë dhe njerëzit që e njihnin. Ata e kujtojnë si një person të dashur, me shpirt krijues dhe talent të veçantë.
“Jam i tronditur. U njohëm në vitin 1998 dhe na bashkonte pasioni për artin. Kishte një krijimtari të jashtëzakonshme, ishte një artist i gjithanshëm. Humbëm një njeri të mrekullueshëm”, është shprehur miku i tij, avokati Giovanni Bellisario.
Ndarja tragjike e Bashkim Rushanit lë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe komuniteti ku ai jetoi e punoi për shumë vite.
Burimi: Top Channel, Klankosova.tv dhe mediat italiane.
