Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar se Erion Veliaj mund të lirohet nga burgu brenda 10 ditësh, pas rishqyrtimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit.
Sipas Beqirit, Apeli duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të marrë parasysh edhe qëndrimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili ka kërkuar rishikimin e vendimit për masën e arrestit me burg.
“Gjykata e Apelit është e detyruar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo do ta shqyrtojë çështjen dhe do të vlerësojë se vendimi për masën e arrestit me burg duhet të rishikohet, bazuar edhe në qëndrimet e Gjykatës së Lartë”, u shpreh avokati.
Beqiri theksoi se masa e arrestit me burg është një masë e jashtëzakonshme dhe sipas tij, në rastin e Veliajt, gjykata mund të vendosë një masë më të lehtë sigurie.
Ai deklaroi se nuk beson se do të vendoset as masa e arrestit në shtëpi, por masa e “detyrimit për paraqitje”.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të merret në konsideratë dhe brenda 10 ditësh Veliaj do të përballet me një masë tjetër sigurie, atë të detyrimit për paraqitje”, tha Idajet Beqiri.
