Vigjilja e finales së madhe të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës është shoqëruar me probleme të papritura, pasi kushtet e pafavorshme atmosferike kanë prishur planet e të dyja skuadrave.
Seanca e fundit stërvitore e përfaqësueses së Spanjës u anulua, pasi futbollistët sapo kishin zbritur në fushën stërvitore. Një stuhi e fortë, e shoqëruar me rrufe, detyroi organizatorët të zbatojnë protokollet e sigurisë dhe të evakuojnë menjëherë zonën.
Fillimisht stërvitja u shty me shpresën se moti do të përmirësohej, por për shkak se stuhia pritet të vazhdojë në zonën e Nju Xhersit, u mor vendimi për anulimin e plotë të seancës.
Edhe Argjentina po përballet me të njëjtin problem. Kampionët e Amerikës së Jugut kishin planifikuar stërvitjen e fundit pak më shumë se 24 orë para finales, por edhe ajo është shtyrë për shkak të kushteve atmosferike. Ende nuk është bërë e ditur nëse skuadra argjentinase do të arrijë ta zhvillojë seancën përgatitore përpara përballjes vendimtare.


Be First to Comment