Skip to content

Fundjava sjell vapë intensive, meteorologia tregon zonat më të nxehta

Meteorologia Lajda Porja ka paralajmëruar një fundjavë me temperatura shumë të larta, pasi vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën është zhvendosur drejt rajonit të Ballkanit. E ftuar në një studio televizive, ajo tha se e shtuna, e diela dhe e hëna do të jenë ditët më të nxehta, me termometrin që në disa zona të Shqipërisë do të arrijë deri në 40 gradë Celsius.

Sipas Porjës, temperaturat më të larta priten në Shkodër, Koplik, Berat, Urën Vajgurore, Cërrik, Belsh, Elbasan dhe Gjirokastër. Ndërkohë, pjesa më e madhe e ultësirës perëndimore do të regjistrojë 38-39 gradë, ndërsa në bregdet temperaturat do të luhaten nga 36 deri në 37 gradë. Edhe zonat malore do të preken nga i nxehti, me 32-33 gradë në Dibër dhe rreth 34 gradë në Kukës, ndërsa Korça pritet të jetë disi më e freskët.

Meteorologia theksoi se gjatë fundjavës nuk priten reshje shiu, ndërsa rritja e lagështirës, sidomos të dielën dhe të hënën, do ta bëjë vapën të ndihet edhe më e rëndë.

Një lehtësim i situatës pritet të nisë të martën, kur temperaturat do të ulen me 2 deri në 4 gradë. Edhe pse termometri do të shënojë rreth 37-38 gradë, moti do të jetë disi më i freskët deri në mesin e javës së ardhshme.

Megjithatë, Porja paralajmëroi se vera sapo ka nisur dhe korriku pritet të sjellë sërish depërtimin e masave të nxehta afrikane. Sipas saj, temperaturat 38-39 gradë do të jenë të shpeshta, ndërsa nga mesi i korrikut nuk përjashtohen vlera edhe më të larta.

Ajo kujtoi se kjo verë ka nisur me temperatura rekord në shumë vende të Europës. Rekorde historike janë regjistruar në Britaninë e Madhe, Portugali, Spanjë dhe Francë, ndërsa në disa prej këtyre vendeve janë raportuar edhe viktima si pasojë e valës së të nxehtit. Në Shqipëri, temperaturat 40-41 gradë zakonisht regjistrohen në korrik ose në fillim të gushtit, por këtë vit ato po shfaqen më herët se zakonisht.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *