Skip to content

Pak orë para protestës, Rama publikon një mesazh të rëndësishëm

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka dalë në një deklaratë për mediat pak përpara nisjes së protestave të paralajmëruara për sot.

Gjatë komunikimit me gazetarët, Rama u ndal te shqetësimet e qytetarëve për rritjen e kostos së jetesës, duke theksuar se qeveria po i kushton vëmendje kërkesave të kësaj pjese të shoqërisë. Ai u shpreh se do të ketë reflektime konkrete në ditët në vijim për të adresuar shqetësimet e ngritura.

“Qëllimet, arsyet dhe, mbi të gjitha, nevojat e asaj pjese të shoqërisë që kërkon një qasje më agresive të qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës janë fokusi absolut i qeverisë. Do të ishte edhe më mirë të kishim një dialog për të adresuar këto nevoja”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se brenda pak orësh ose ditësh do të prezantohen masat dhe reflektimet e qeverisë lidhur me mesazhet që vijnë nga qytetarët.

Ai foli gjithashtu për situatat e dhunshme gjatë protestave, duke paralajmëruar reagim të vendosur nga shteti ndaj personave që përfshihen në akte të tilla.

“Të gjithë ata që ushtrojnë dhunë duhet të kuptojnë se, aq sa ishte intensiv, i përqendruar apo i zgjatur terrori urban mbi bizneset, aq e zgjatur dhe këmbëngulëse do të jetë edhe përgjigjja e shtetit. Kush mendon se mund ta gjunjëzojë shtetin, bën një llogaritje të gabuar”, u shpreh kreu i qeverisë.

Në vijim, Rama paralajmëroi pasoja për ata që, sipas tij, fshihen pas studentëve për të nxitur përçarje fetare në Shqipëri.

Deklarata e kryeministrit vjen pak para protestave të paralajmëruara në Tiranë, në një klimë të tensionuar politike dhe sociale.

Published inNews Shqip