Skip to content

Aksident i rëndë me autobus, 11 persona përfundojnë të lënduar pas përmbysjes!

Përmbyset autobusi në aksin Tuzëll–Sarajevë, 11 persona të lënduar

 

Një aksident trafiku është regjistruar mëngjesin e sotëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku një autobus i transportit publik është përmbysur në magjistralen Tuzëll–Sarajevë, pranë vendbanimit Husino. Si pasojë e aksidentit, 11 persona kanë mbetur të lënduar.

 

Sipas informacioneve të publikuara nga portali boshnjak “Klix”, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Policia është njoftuar rreth orës 06:10, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë patrullat policore dhe ekipet e urgjencës mjekësore.

 

Zëdhënësja e Administratës Policore pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Tuzllës, Adnana Spreçiq, ka konfirmuar se, sipas të dhënave paraprake, nga aksidenti janë lënduar 11 persona.

 

Ndërkohë, nga Qendra Klinike Universitare (UKC) kanë bërë të ditur se shtatë persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore, ndërsa njëri prej tyre është mbajtur për trajtim spitalor.

 

“Në UKC janë paraqitur shtatë persona, ndërsa për momentin në trajtim spitalor është mbajtur një pacient me inicialet H. B., për shkak të lëndimeve në gjymtyrët e poshtme. Ai është vendosur në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë”, ka deklaruar zëdhënësja e spitalit, Ersija Ashçeriq Mujedinoviq.

 

Policia ka sqaruar se numri prej 11 personash të lënduar është paraprak, pasi disa prej udhëtarëve mund të kenë kërkuar ndihmë mjekësore në institucione të tjera shëndetësore.

 

Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i Prokurorisë së Kantonit të Tuzllës, ndërsa hetuesit e policisë kriminalistike po kryejnë ekspertizën në vendin e ngjarjes.

 

Shkaqet që çuan në përmbysjen e autobusit ende nuk janë bërë të ditura dhe pritet të përcaktohen gjatë hetimeve.

 

Për shkak të ekspertizës policore, qarkullimi në një pjesë të magjistrales Tuzëll–Sarajevë, në drejtim të nyjës rrugore Shiqki Brod, është ndërprerë plotësisht. Automjetet po devijohen në rrugë alternative, ndërsa policia nuk lejon kalimin në zonën ku ka ndodhur aksidenti.

 

Burimi: Klix.ba

Published inNews Shqip