Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat e dhunshme që kanë përfshirë Tiranën, duke i cilësuar ato si një aksion të organizuar nga grupe të ndryshme, të cilat sipas tij kanë lidhje me elementë të brendshëm dhe të jashtëm.
Gjatë një takimi me përfaqësues të bankave, Rama përmendi lëvizjen ANTIFA, grupe të radikalizuara të të rinjve dhe elementë të kriminalitetit, duke i akuzuar se po nxisin përplasjet dhe destabilizimin e vendit.
Kreu i qeverisë përdori tone të ashpra ndaj protestuesve, duke i cilësuar disa prej tyre si anarkistë dhe neo-komunistë, ndërsa u shpreh se thirrjet e tyre i kujtojnë periudha të errëta të historisë.
“ Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm, përmes një lëvizjeje anarkiste neo-komuniste, e cila quhet ANTIFA, dhe pjesësh të tjera të radikalizuara të rinisë. Vajza dhe djem që janë të ekstremizuar dhe që ulërasin e bëjnë thirrje si në kohën e Mesjetës apo pas luftës për të burgosur cilindo që, sipas tyre, përfaqëson të keqen”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se në protestat e fundit janë përfshirë edhe grupe kriminale, të cilat sipas tij veprojnë me mbështetjen e krimit të organizuar dhe subjekteve të tjera politike.
Rama pretendoi gjithashtu se këto grupe kanë mbështetje nga forca të huaja, të cilat synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe Evropës.
“Të gjitha këto bashkë kanë një mbështetje të provuar dhe që provohet ditë pas dite nga forca të huaja, të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë dhe Evropën në tërësi”, u shpreh kryeministri.
Megjithatë, Rama theksoi se këto grupe nuk përfaqësojnë studentët dhe shoqërinë, të cilët kanë të drejtën legjitime të protestojnë dhe të kërkojnë ndryshime.
Duke komentuar edhe mbështetjen e disa pedagogëve për protestat, kryeministri u shpreh se një pjesë e vogël e tyre, sipas tij, po i japin jehonë dhunës, pa u distancuar prej saj.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat në Tiranë vijojnë të shoqërohen me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
