Skip to content

PD mobilizon mbështetësit në jug, qindra qytetarë nisen nga Vlora drejt protestës në Tiranë

Sipas të dhënave nga dega e Partisë Demokratike në Vlorë, rreth 330 persona janë regjistruar paraprakisht për të marrë pjesë në protestën e sotme të PD-së në Tiranë. Ndërkohë, nga degët e Selenicës dhe Himarës pritet të nisen edhe 80 deri në 100 qytetarë të tjerë.

Burime nga PD-ja në Vlorë bëjnë me dije se nuk është organizuar transport i përbashkët për të gjithë pjesëmarrësit. Pas regjistrimit në degët përkatëse, qytetarët janë nisur drejt kryeqytetit kryesisht me automjetet e tyre personale. Për ata që nuk kanë pasur mundësi transporti, është bërë koordinimi me pjesëmarrës të tjerë për të udhëtuar së bashku.

Sipas të njëjtave burime, numri i personave që pritet të marrin pjesë nga Vlora është rreth 100 më i lartë krahasuar me protestat e mëparshme.

Një tjetër element që vihet re këtë herë është përfshirja e qytetarëve që nuk janë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike, por që kanë shprehur interes për t’iu bashkuar protestës.

Nisja nga Vlora është planifikuar të bëhet gjatë orëve 07:00–08:00 të mëngjesit të kësaj të shtune.

Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e protestuesve nga Vlora pritet që, pas përfundimit të protestës së PD-së, t’i bashkohet edhe protestës së studentëve që do të zhvillohet në Tiranë.

Published inNews Shqip