Zbulohen 200 mijë euro të padeklaruara në Tabanoc, Dogana i mban 190 mijë euro shtetasit hungarez
Një sasi prej 200.000 eurosh të padeklaruara është zbuluar në pikën kufitare të Tabanocit, në automjetin e një shtetasi hungarez, i cili dyshohet se po përpiqej t’i fuste paratë në Maqedoninë e Veriut pa i deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Doganave, automjeti është përzgjedhur për kontroll pas lindjes së dyshimeve. Gjatë kontrollit të detajuar, doganierët kanë zbuluar paratë e fshehura në tri vende të ndryshme brenda automjetit.
Shuma e parë, prej 65.000 eurosh, është gjetur në një çantë të zezë prej pëlhure, të vendosur mes ulëseve, pranë levës së ndërrimit të marsheve.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, në një çantë të vogël të zezë, të vendosur brenda një çante shpine në ulësen e pasme, nën një kompjuter, janë zbuluar edhe 37.650 euro.
Ndërkohë, 97.350 euro të tjera janë gjetur në një valixhe, të fshehura mes rrobave.
Dogana mban 190 mijë euro
Nga shuma totale prej 200.000 eurosh, shtetasit hungarez i janë kthyer 10.000 euro, në përputhje me dispozitat e Ligjit për operacionet valutore.
Pjesa tjetër, prej 190.000 eurosh, është mbajtur nga autoritetet doganore, të cilat kanë lëshuar dokumentacionin përkatës për sekuestrimin e përkohshëm të mjeteve financiare.
Për rastin në fjalë, ndaj shtetasit hungarez është paraqitur kallëzim për kundërvajtje, bëhet e ditur në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.
Ngjarja është regjistruar gjatë kontrolleve në pikën kufitare të Tabanocit, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Burimi: Drejtoria e Doganave, transmeton Lideri.mk.
