Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se paketa e re ligjore kundër dhunës parashikon dëmshpërblimin e bizneseve për dëmet e shkaktuara gjatë protestave. Sipas tij, shteti do të mbulojë 100% të dëmeve për bizneset e vogla dhe deri në 70% për bizneset e mëdha.
Gjatë deklaratës së tij, Rama bëri të ditur se masat janë hartuar në bashkëpunim me partnerët europianë, duke marrë në konsideratë edhe përvojën e Italisë dhe Francës në trajtimin e rasteve të dhunës gjatë protestave.
Kreu i qeverisë theksoi se paketa synon të garantojë të drejtën për protestë paqësore, ndërsa personat që shkaktojnë dëme do të mbajnë përgjegjësi individuale dhe do të detyrohen të paguajnë pjesën që u takon për dëmet e shkaktuara.
“Pas një pune intensive në bashkëpunim me partnerët europianë, bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Europiane dhe në koordinim me partnerët italianë e francezë, duke u mbështetur në përvojën e tyre në luftën kundër kësaj vale antidemokratike, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se paketa përbëhet nga gjashtë instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin, duke synuar mbrojtjen e protestës qytetare dhe ndëshkimin e akteve të dhunshme.
Sipas Ramës, përveç mbështetjes financiare për bizneset e dëmtuara, paketa parashikon që përgjegjësia për dëmet të jetë personale. Ai bëri të ditur gjithashtu se, në rastet kur dëmet shkaktohen nga të miturit, detyrimi për dëmshpërblim do t’u kalojë prindërve.
