Studentët dhe të rinjtë vijojnë mobilizimin kundër qeverisë së Edi Ramës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, organizatorët kanë njoftuar se tubimi i radhës do të mbahet sot, më 25 tetor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.
Të rinjtë deklarojnë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në largimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij.
Protesta e dymbëdhjetë studentore, e mbajtur dje në kryeqytet, u shoqërua me përplasje të forta me forcat e policisë, ndërsa raportimet flasin për persona të plagosur. Situata e tensionuar u shtri në disa zona të Tiranës, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e situatës.
Pavarësisht ngjarjeve të një dite më parë, studentët dhe të rinjtë duket se janë të vendosur të vijojnë protestat, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre edhe gjatë ditës së sotme.
