Skema e pensioneve në Shqipëri po shfaq shenja graduale forcimi, pavarësisht deficitit të vazhdueshëm, i cili lidhet me numrin e ulët të kontribuuesve dhe numrin e lartë të përfituesve.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, gjatë periudhës janar-shtator 2026, në arkën e shtetit janë mbledhur mbi 150.9 miliardë lekë, ose rreth 1.65 miliardë euro, nga kontributet e të punësuarve në sektorin publik dhe privat për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, të ardhurat nga kontributet janë rritur me 15.9 miliardë lekë, ose 13.5%. Ndërkohë, realizimi i planit për nëntëmujorin ka arritur në 100.5%.
Kjo vlerë përbën një rekord për dekadën e fundit. Në raport me vitin 2016, kur të ardhurat nga kontributet arritën në 57.3 miliardë lekë, arkëtimet janë rritur me 163.35%.
Zgjerimi i bazës së kontribuuesve dhe rritja e pagave
Përmirësimi i të ardhurave lidhet me disa faktorë, ndër të cilët zgjerimi i bazës së kontribuuesve dhe rritja e pagave të deklaruara. Gjatë vitit 2025, skemës së sigurimeve shoqërore iu shtuan mbi 31 mijë kontribuues, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 836,910 persona.
Një ndikim të rëndësishëm ka pasur edhe rritja e pagave në sektorin publik dhe atë privat. Paga mesatare në vend i është afruar nivelit prej 1,000 eurosh në muaj, duke rritur njëkohësisht edhe shumën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguhen për çdo të punësuar.
Në këtë ecuri kanë ndikuar gjithashtu masat për formalizimin e tregut të punës. Kontrollet ndaj nën deklarimit të pagave dhe përpjekjet për të përafruar pagat e deklaruara me të ardhurat reale kanë zgjeruar bazën mbi të cilën llogariten kontributet. Si rrjedhojë, një pjesë e rritjes së arkëtimeve vjen edhe nga përmirësimi i deklarimit të pagave dhe punësimit.
Pagat referencë dhe paga minimale ndikojnë në kontribute
Një tjetër faktor është aplikimi i pagave referencë për disa sektorë të ekonomisë, përfshirë turizmin, ndërtimin dhe shërbimet mjekësore. Këto masa synojnë të kufizojnë diferencat ndërmjet pagave të deklaruara dhe atyre që paguhen realisht, duke rritur bazën mbi të cilën llogariten detyrimet për kontributet.
Ndikim ka pasur edhe rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë në muaj, e cila hyri në fuqi në janar të vitit 2026. Rritja e bazës minimale të pagës ka sjellë edhe shtimin e detyrimit minimal për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Paralelisht, të ardhurat janë ndikuar nga zgjerimi i aktivitetit ekonomik dhe shtimi i numrit të subjekteve që ushtrojnë veprimtari të deklaruar.
Për individët, pagesa minimale mujore për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore aktualisht llogaritet në rreth 13,950 lekë.
