300 vende të lira në Policinë e Shtetit, ja kriteret dhe dokumentet për aplikim
Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për 300 vende të lira pune në rolin zbatues “Patrullë e Përgjithshme”, duke u krijuar mundësi të rinjve dhe të rejave që dëshirojnë t’i bashkohen strukturave të policisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që plotësojnë kriteret të aplikojnë dhe të zgjedhin një profesion në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.
Procesi i konkurrimit do të zhvillohet mbi bazën e meritës, transparencës, integritetit, shanseve të barabarta dhe mosdiskriminimit.
Afati i aplikimeve
Aplikimet janë të hapura nga 17 gusht deri më 18 shtator 2026. Kandidatët duhet të aplikojnë pranë Drejtorive Vendore të Policisë në territorin ku kanë vendbanimin e përhershëm.
Kriteret kryesore
Për të konkurruar, kandidatët duhet:
– Të jenë deri në 30 vjeç;
– Të kenë përfunduar arsimin e mesëm të lartë;
– Të kenë gjatësi të paktën 170 cm për meshkujt dhe 160 cm për femrat;
– Të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht;
– Të zotërojnë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
– Të kenë leje drejtimi të kategorisë “B”;
– Të mos jenë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepër penale;
– Të mos jenë përjashtuar më parë nga Policia e Shtetit apo struktura të tjera të sigurisë;
– Të plotësojnë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit.
Dokumentet që duhet të dorëzohen
Aplikantët duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar, përfshirë formularin e aplikimit, formularin e vetëdeklarimit, formularin e dekriminalizimit, kopjen e kartës së identitetit, dokumentin që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm, lejen e drejtimit të kategorisë “B”, certifikatat dhe vërtetimet e kërkuara, raportin mjekoligjor dhe mandatpagesën e tarifës së aplikimit.
Dokumentacioni do të shqyrtohet nga strukturat e burimeve njerëzore. Kandidatët që nuk plotësojnë kriteret ose nuk dorëzojnë dokumentacionin e plotë do të njoftohen për skualifikimin dhe arsyet përkatëse.
Pas përfundimit të fazës së aplikimeve, kandidatët që plotësojnë kushtet do të vijojnë në fazat e tjera të procesit të konkurrimit.
Nëse dëshironi t’i bashkoheni Policisë së Shtetit dhe të kontribuoni për një Shqipëri më të sigurt, kjo është mundësia për të aplikuar.
