Kjo është 58-vjeçarja Lumturi Patushi, e cila humbi jetën tragjikisht pasi u godit me thikë nga bashkëshorti i saj, Hysni Patushi.
Sipas të dhënave të bëra publike për ngjarjen, konflikti mes çiftit dyshohet se lidhej me mungesën e shpeshtë të Lumturisë në banesën e tyre. 58-vjeçarja kalonte pjesën më të madhe të kohës te banesa e vajzës së saj, ku kujdesej për katër nipërit e saj të mitur.
Kjo situatë dyshohet se kishte shkaktuar përplasje të vazhdueshme mes bashkëshortëve. Ditën e ngjarjes, Hysni Patushi u largua nga banesa e çiftit në zonën e “Don Boskos” dhe shkoi drejt banesës së vajzës së tyre në “Rrugën Panorama”, ku ndodhi ngjarja.
Sipas raportimeve, Patushi kishte konsumuar alkool para ngjarjes. Vrasja ndodhi në prani të nipërve të çiftit. Pas krimit, ai u largua nga vendi dhe dyshohet se hodhi thikën jashtë pallatit.
Më pas, 68-vjeçari shkoi në Kamëz, ku u takua me një të afërm. Sipas raportimeve, i afërmi e bindi të dorëzohej në polici. Patushi më pas pranoi autorësinë e ngjarjes dhe gjatë dëshmisë e lidhi përshkallëzimin e konfliktit me konsumimin e alkoolit.
Policia arriti të gjente dhe sekuestronte edhe thikën që dyshohet se u përdor në krim, duke u ndihmuar nga pamjet e kamerave të sigurisë.
Sipas informacioneve të bëra publike, kjo nuk ishte hera e parë që Hysni Patushi përballej me akuza për dhunë në familje. Në vitin 2017, ai ishte arrestuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, Lumturisë.
Çifti kishte shtatë fëmijë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes së rëndë.
