Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare arrestohet në Francë, dyshohet për përfshirje në trafik kokaine
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Olgerd Muka, është arrestuar në Francë, ku autoritetet e dyshojnë për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Sipas raportimeve të mediave franceze, 46-vjeçari u ndalua në qytetin e Dizhonit pas një operacioni policor, ndërsa ishte mbajtur nën vëzhgim për më shumë se 10 ditë.
Sipas hetimeve paraprake, Muka dhe një tjetër shtetas shqiptar u arrestuan në flagrancë, pasi dyshohet se po shpërndanin kokainë në një park të qytetit. Rasti tashmë është në shqyrtim nga autoritetet franceze.
Pas arrestimit, ish-futbollisti doli para gjykatës, ku dha versionin e tij mbi ngjarjen. Ai deklaroi se vështirësitë ekonomike dhe problemet shëndetësore e kishin çuar drejt një vendimi që e cilësoi si të gabuar.
«“Rreth 18 muaj më parë kalova një sëmundje dhe humba vendin e punës”, citohet të ketë deklaruar ai para gjykatës.»
Muka tha se, pas humbjes së punës dhe përballjes me vështirësi financiare, kishte kërkuar mënyra për të siguruar të ardhura për familjen. Megjithatë, këto deklarata përbëjnë versionin e tij të ngjarjes dhe çështja vijon të jetë nën hetim nga drejtësia franceze.
Olgerd Muka ka zhvilluar një karrierë të gjatë në futbollin shqiptar, duke luajtur për klube si Lushnja, Teuta, Dinamo, Bylis, Flamurtari, Partizani dhe Besa. Ai ka regjistruar edhe dy paraqitje me Kombëtaren shqiptare në ndeshje miqësore, gjatë periudhës kur ekipi drejtohej nga Sulejman Demollari.
Gjatë karrierës së tij, ai fitoi Kupën e Shqipërisë me Dinamon dhe Superkupën me Partizanin. Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Muka u angazhua si trajner.
Autoritetet franceze vijojnë hetimet për këtë çështje, ndërsa ndaj ish-futbollistit rëndojnë dyshime që do të shqyrtohen nga gjykata, në përputhje me procedurat ligjore.



Be First to Comment