Nëntë persona janë arrestuar në Zubin-Potok nën dyshimin për përfshirje në krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë. Operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit dhe nga Policia e Kosovës është koduar me emrin “Dosja 23”.
Arrestimet janë kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësitë e tjera të specializuara, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Sipas autoriteteve, nëntë personat dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Rasti lidhet me të ashtuquajturin “Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, një dosje që ka të bëjë me zhdukjen e 23 personave gjatë vitit 1999.
Në fund të korrikut, në zonat e Kalludrës dhe Jabukës nisën gërmimet për kërkimin e mbetjeve mortore. Operacioni përfundoi më 21 gusht, ndërsa gjatë tij u zbuluan mbetje që dyshohet se u përkasin 23 personave.
“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës” përbëhej nga mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë, të cilët rezultojnë të zhdukur që nga prilli i vitit 1999.
Pas zbulimit të mbetjeve mortore, hetimet e autoriteteve janë zgjeruar për të sqaruar rrethanat e vrasjes dhe zhdukjes së tyre. Nëntë arrestimet në Zubin-Potok janë pjesë e hetimeve që po zhvillohen nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
