Labinot Tahiri bën një gjest të veçantë për familjen e Shpat Kasapit: “Roel, të do xhaxhi Labi!”
Këngëtari dhe humanisti i njohur Labinot Tahiri ka bërë një tjetër gjest solidariteti për familjen e artistit të ndjerë Shpat Kasapi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri ka bërë të ditur se ka transferuar 5 mijë euro për djalin e vogël të Shpatit, Roelin. Sipas tij, 4 mijë euro janë dhënë nga vetë ai, ndërsa 1 mijë euro të tjera janë kontribuar nga reperi 2Ton.
Labi ka falënderuar veçanërisht 2Ton për mbështetjen dhe bashkëngjitjen në këtë nismë, e cila është pjesë e një angazhimi që ai e ka nisur disa kohë më parë.
Ai ka treguar se, përveç ndihmës që ka dhënë privatisht në të kaluarën, ka vendosur të ndajë 150 euro nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë ku performon, me qëllim që këto mjete t’i shërbejnë shëndetit dhe të ardhmes së Roelit. Paratë, sipas tij, i dorëzohen nënës së vogëlushit, Selvies.
Në mesazhin e tij, Tahiri ka siguruar familjarët se nuk duhet të shqetësohen për aspektin financiar, duke kujtuar edhe një premtim që, sipas tij, ua kishte bërë më herët Big Mamës dhe mikut të Shpatit, Xenit.
Ai gjithashtu iu është përgjigjur kritikëve të mundshëm duke iu referuar mesazhit të Nënë Terezës për rëndësinë e veprave të bëra me dashuri, ndërsa u ka bërë thirrje edhe artistëve të tjerë që mbështetjen dhe fjalët e mira t’i shoqërojnë me ndihmë konkrete.
Në fund, Labi ka falënderuar mërgimtarët për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar dhe e ka mbyllur mesazhin me një dedikim të veçantë për vogëlushin:
“Roel, të do xhaxhi Labi!”
