ATK nis kontrolle të shtuara gjatë sezonit të dasmave: Ja kush do të monitorohet
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka intensifikuar kontrollet në terren ndaj bizneseve dhe individëve që ofrojnë shërbime gjatë sezonit të dasmave dhe ahengjeve familjare.
Sipas njoftimit, kontrollet do të përqendrohen veçanërisht në sallat e dasmave, hotelet dhe subjektet e tjera që përfitojnë të ardhura nga organizimi i eventeve.
ATK ka bërë të ditur se qëllimi i këtyre aksioneve është parandalimi i ekonomisë joformale dhe sigurimi që të gjitha të ardhurat të deklarohen sipas kërkesave ligjore.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast ku dyshohet për mosdeklarim të të ardhurave apo shmangie të detyrimeve tatimore. Raportimet mund të kryhen përmes platformës “Denonco” ose qendrës së thirrjeve të ATK-së.
Autoritetet kanë rikujtuar se çdo subjekt që ofron shërbime kundrejt pagesës ka detyrim ligjor për deklarimin e të ardhurave dhe respektimin e obligimeve tatimore.
Kontrollet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit veror, me vëmendje të veçantë në fundjavë dhe periudhat kur numri i dasmave dhe aktiviteteve familjare është më i lartë.


Be First to Comment