Mjeku i njohur gastrohepatolog i QSUT-së, Prof. Skerdi Prifti, është ndarë papritur nga jeta. Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë, i cili përmes një mesazhi publik ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe ka vlerësuar kontributin e tij të rëndësishëm në mjekësi, arsim dhe kërkimin shkencor.
Në mesazhin e publikuar, Fakulteti i Mjekësisë e cilëson Prof. Priftin si një nga figurat e spikatura të gastrohepatologjisë shqiptare, duke e përshkruar si një pedagog të respektuar, mjek të përkushtuar, shkencëtar dhe koleg të çmuar.
Ndarja e tij e papritur nga jeta, sipas Fakultetit, përbën një humbje të madhe për familjen, kolegët, Shërbimin e Gastrohepatologjisë dhe komunitetin mjekësor shqiptar.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes së papritur nga jeta të Prof. Skerdi Priftit, një prej figurave të shquara të gastrohepatologjisë shqiptare, pedagog i respektuar, mjek, shkencëtar dhe koleg i çmuar”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Fakulteti i Mjekësisë ka shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet e tij për familjen dhe të afërmit e Prof. Priftit në këtë moment të dhimbshëm.

