Lehtësohen procedurat për pasaportat dhe kartat e identitetit, ja çfarë ndryshon për qytetarët
Me udhëzimin e ri, qytetarët që duhet të riaplikojnë për pasaportë biometrike ose kartë identiteti, me procedurë standarde apo të përshpejtuar, mund të kryejnë aplikimin pranë çdo zyre të IdentiTek në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht njësisë administrative ku janë të regjistruar në Gjendjen Civile.
Ky ndryshim synon të lehtësojë marrjen e shërbimeve, duke u ofruar qytetarëve më shumë fleksibilitet dhe duke reduktuar kohën dhe kostot e udhëtimit drejt zyrave të aplikimit.
Megjithatë, lehtësimi nuk përfshin rastet kur pasaporta e fundit është lëshuar përpara vitit 2012. Në këto raste, aplikimi do të vijojë të kryhet vetëm pranë zyrave që mbulojnë vendbanimin e qytetarit, sipas procedurave në fuqi.
Sa i përket tërheqjes së dokumenteve, karta e identitetit merret pranë zyrës ku është kryer aplikimi, ndërsa pasaporta biometrike tërhiqet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në qarkun ku është bërë aplikimi.
