Anije tregtare turke goditet nga raketa ruse, raportohen viktima dhe të zhdukur
Një anije tregtare me flamur turk është goditur të dielën nga tre raketa ruse, duke shkaktuar vdekjen e pesë anëtarëve të ekuipazhit, sipas njoftimit të Marinës së Ukrainës. Ndërkohë, pesë marinarë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Anija, e ngarkuar me grurë, u sulmua teksa po largohej nga zona e konfliktit. Tetë persona arritën të shpëtohen dhe u transportuan me urgjencë në një spital në Odesa, në brigjet e Detit të Zi.
Autoritetet ukrainase e kanë dënuar ashpër incidentin, duke e cilësuar si një sulm të qëllimshëm ndaj një anijeje civile të paarmatosur me flamur të huaj.
“Ky është një tjetër sulm i qëllimshëm i Rusisë ndaj një anijeje civile që nuk përbënte asnjë kërcënim. Bëhet fjalë për një akt terrori kundër lundrimit paqësor dhe një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, deklaruan autoritetet ukrainase.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Ukrainës, Andriy Sybiha, bëri të ditur se pjesa më e madhe e ekuipazhit përbëhej nga shtetas sirianë dhe indianë, ndërsa mes viktimave ndodhej edhe kapiteni ukrainas i anijes.
Sipas tij, sulmi ndaj anijes erdhi vetëm pak orë pas bombardimeve të reja ruse mbi Kievin, ku gjatë natës u lëshuan rreth 20 raketa balistike. Si pasojë e këtyre sulmeve humbi jetën një person dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur.
Forcat ruse vazhdojnë të godasin infrastrukturën portuale të Ukrainës, veçanërisht në rajonin e Odesës, duke rritur më tej tensionet në konfliktin që vijon prej vitesh.


Be First to Comment