Skip to content

Nga temperaturat përvëluese te reshjet e shiut, moti pritet të ndryshojë së shpejti

Moti ndryshon nga e mërkura, largohet vala e të nxehtit afrikan dhe rikthehen reshjet

Meteorologia Lajda Porja ka bërë të ditur se dita e sotme pritet të jetë e fundit me temperatura ekstreme, pasi vala e të nxehtit afrikan do të largohet gradualisht nga rajoni.

Sipas saj, gjatë ditëve në vijim Shqipëria do të përfshihet nga një situatë më e paqëndrueshme atmosferike, me ulje të temperaturave dhe rikthim të reshjeve. Sot temperaturat do të arrijnë deri në 39-40 gradë në disa qytete, por ndryshimi i motit do të nisë që nga dita e martë.

Meteorologia shpjegoi se të martën pritet një rënie e lehtë e temperaturave, ndërsa nga e mërkura vendi do të përfshihet nga një masë ajrore më e freskët. Temperaturat do të zbresin ndjeshëm, duke arritur rreth 34-35 gradë në mesjavë dhe rreth 30 gradë gjatë fundjavës.

Përveç freskimit, priten edhe reshje shiu dhe erëra të forta. Sipas parashikimit, reshjet do të nisin fillimisht në zonat veriore, ndërsa të mërkurën do të ketë rrebeshe shiu dhe stuhi ere kryesisht në veri dhe qendër të vendit. Nuk përjashtohen reshje edhe në zona të tjera.

Fundjava pritet të sjellë përmirësim të motit, me më shumë kthjellime dhe temperatura më të ulëta, duke i dhënë fund netëve tropikale dhe vapës së madhe të ditëve të fundit.

Ndryshimi i motit do të prekë edhe rajonin. Në Kosovë priten rrebeshe shiu, erëra të forta dhe mundësi për stuhi breshëri, ndërsa temperaturat do të zbresin deri në 25-26 gradë gjatë fundit të javës.

Edhe Maqedonia e Veriut do të kalojë nga temperaturat e larta drejt një moti më të freskët dhe të paqëndrueshëm. Në Shkup, pas temperaturave 37-38 gradë, nga e mërkura priten reshje dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *