Puna e padeklaruar dhe mosderdhja e kontributeve po sjellin pasoja të drejtpërdrejta për pensionet e qytetarëve. Të dhënat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se rreth 353 mijë pensionistë, nga afro 640 mijë në total, përfitojnë pension pleqërie të pjesshëm, për shkak se nuk kanë plotësuar vitet e nevojshme të sigurimit.
Numri i pensioneve të pjesshme ka shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2024, kur ishin rreth 316 mijë. Sipas ISSH-së, gjatë vitit të kaluar janë lidhur rreth 55 mijë pensione të reja, ndërsa përfituesit kishin mesatarisht 24 vite e 6 muaj sigurime, shumë më pak se 38 vite e 8 muajt e nevojshëm për përfitimin e pensionit të plotë.
Vitet e pakta të punës së siguruar, së bashku me kontributet e ulëta, ndikojnë drejtpërdrejt në vlerën e pensionit. Në fund të vitit 2025, pensioni mesatar i pleqërisë në zonat urbane ishte 20,123 lekë, rreth 514 lekë më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, pensioni mesatar rural arriti në 12,313 lekë, me një rritje prej 435 lekësh.
Problemi nuk lidhet vetëm me vitet e padeklaruara të punës. Një tjetër faktor shqetësues është edhe nëndeklarimi i pagave nga bizneset, i cili sjell pagesa më të ulëta të kontributeve dhe, si pasojë, pensione më të vogla në të ardhmen.
Në raport me pagën mesatare dhe pagën minimale, diferenca bëhet edhe më e dukshme. Pensioni mesatar urban në vitin 2025 përbënte rreth 23% të pagës mesatare prej 86,984 lekësh dhe rreth gjysmën e pagës minimale prej 40 mijë lekësh. Ndërsa krahasuar me pagën minimale prej 50 mijë lekësh të këtij viti, ai përfaqëson rreth 40% të saj.
Për pensionet rurale situata është edhe më e vështirë. Ato përbëjnë rreth 13% të pagës mesatare dhe rreth 30% të pagës minimale të vitit të kaluar. Në raport me pagën minimale prej 50 mijë lekësh, pensioni rural është rreth 24% e saj.
Përveç punës në të zezë dhe deklarimit të pjesshëm të pagave, skema e pensioneve po përballet edhe me një tjetër sfidë të madhe: ndryshimet demografike. Rënia e lindjeve dhe emigrimi i fuqisë punëtore po reduktojnë numrin e kontribuesve.
Aktualisht, për çdo 100 pensionistë kontribuojnë rreth 117 të punësuar. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030 kjo shifër mund të zbresë në 113. Ky zhvillim e shton presionin mbi skemën e pensioneve, e cila prej vitesh vijon të përballet me deficit financiar.
