Edlira Çepani rrëfen fëmijërinë mes Meksikës dhe Kubës: “Prindërit nuk më përgjigjeshin nëse u flisja spanjisht”
Edlira Çepani ishte e ftuar këtë të diel në emisionin “Interview”, ku në një bisedë me moderatoren Mirela Milori ndau kujtime nga fëmijëria e saj dhe përvojat që kanë lënë gjurmë në jetën personale.
Ajo zbuloi se ka lindur në Meksikë dhe një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Kubë, për shkak të angazhimit të prindërve të saj në shërbimin diplomatik. Çepani foli me nostalgji për jetën në Amerikën Latine, duke vlerësuar mikpritjen, pozitivitetin dhe qetësinë shpirtërore që, sipas saj, karakterizojnë njerëzit e këtyre vendeve.
“Prindërit e mi kanë qenë diplomatë. Im atë ka mbuluar një pjesë shumë të madhe të Amerikës Latine. Unë dhe ime motër kemi lindur në Meksikë, jemi kthyer për shumë pak kohë në Shqipëri, ku lindi im vëlla, më pas kemi jetuar në Kubë, ku unë kam bërë shkollën fillore”, tregoi ajo.
Çepani theksoi se përvoja në këto vende ka qenë e veçantë për të gjithë familjen, duke e cilësuar Amerikën Latine si një eksperiencë që ia vlen të përjetohet nga të gjithë.
“Është një eksperiencë shpirtërore, ku njerëzit njohin se çfarë është realisht pozitiviteti. Ata njerëz, përveç gjithë problematikave, janë aq pozitivë, sa të krijojnë një qetësi shpirtërore të jashtëzakonshme. Unë i dua shumë të gjithë meksikanët dhe kubanezët. Ka qenë një eksperiencë që neve si familje na ka shënjuar jetën”, u shpreh ajo.
Si arritën prindërit ta ruanin gjuhën shqipe?
Edhe pse u rrit në një mjedis ku spanjishtja ishte pjesë e përditshmërisë, Edlira Çepani tregoi se nuk e humbi kurrë lidhjen me gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Ajo u kthye në Shqipëri në moshën 12-vjeçare dhe kujton se prindërit kishin këmbëngulur që ajo dhe motra e saj të komunikonin në shqip, edhe kur ndodheshin jashtë vendit.
“Flisja shqip, isha e detyruar, se prindërit nuk më kthenin përgjigje nëse unë u flisja spanjisht. Unë, nëse më zgjon në mes të natës, alfabetin e them spanjisht, por prindërit e mi kanë qenë gjithmonë shumë patriotë. Unë asnjëherë nuk jam shkëputur nga realiteti shqiptar”, rrëfeu Çepani.
Ajo pranoi se rikthimi në Shqipëri nuk ishte pa vështirësi, veçanërisht për sa i përket gjuhës, por me kalimin e kohës arriti ta përvetësonte plotësisht.
Madje, me humor, Çepani tha se sot është bërë një nga ata njerëz që korrigjojnë të tjerët kur bëjnë gabime në shqip.
