Turistja britanike mbetet pa fjalë nga gjesti i stafit të një hoteli në Sarandë: “Kjo është Shqipëria që duhet të njohë bota”
Një përvojë e veçantë e një turisteje britanike në Sarandë është bërë virale në rrjetet sociale, pasi ajo vendosi të ndajë një histori që, sipas saj, tregon ndershmërinë dhe mikpritjen e njerëzve në Shqipëri.
Tara Young, e cila po kalonte pushimet së bashku me vajzën e saj në një hotel në Sarandë, rrëfen se gjatë pagesës së disa pijeve bëri pa dashje një gabim, duke i dorëzuar stafit një kartëmonedhë me vlerë shumë më të lartë nga sa duhej, pasi nuk ishte familjarizuar ende me monedhën shqiptare.
Pak minuta pasi ishte kthyer në dhomë, ajo mori një telefonatë nga recepsioni, ku iu kërkua të zbriste në hollin e hotelit. Atje e priste një prej punonjësve, i cili i dorëzoi menjëherë shumën e tepërt që kishte paguar, pasi kishte vënë re gabimin.
Turistja u shpreh se u prek nga ky veprim dhe e cilësoi atë si një shembull të ndershmërisë dhe integritetit që rrallë haset.
Në mesazhin e saj publik, ajo falënderoi stafin për profesionalizmin dhe korrektësinë, duke theksuar se kjo përvojë e bëri ta vlerësonte edhe më shumë Shqipërinë dhe njerëzit e saj.
Ajo ftoi gjithashtu turistët e tjerë të vizitojnë Sarandën, duke thënë se mikpritja, ngrohtësia dhe ndershmëria që përjetoi gjatë qëndrimit të saj janë arsye të forta për t’u rikthyer sërish në vendin tonë.
Historia e saj është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe është vlerësuar nga shumë qytetarë si një shembull pozitiv që promovon imazhin e Shqipërisë dhe turizmit shqiptar.

Be First to Comment