Rama i përgjigjet Serbisë për Ibërin: “Shqipëria do të qëndrojë me Kosovën dhe Republikën e saj”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të ardhura nga Serbia lidhur me diskutimet për rrjedhën e lumit Ibër, duke përsëritur qëndrimin e Shqipërisë për Kosovën dhe marrëdhëniet në rajon.
Përmes një postimi në platformën “X”, Rama iu përgjigj edhe pretendimeve nga Beogradi se Shqipëria nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Serbisë. Ai theksoi se Tirana mbështet marrëdhënie të mira me Serbinë, por njëkohësisht do të vijojë të qëndrojë krah Kosovës.
Sipas Ramës, ideja për një të ardhme europiane të rajonit duhet të bazohet në dobësimin gradual të rolit të kufijve si ndarës mes vendeve, por kjo, sipas tij, kërkon fillimisht pranimin e realiteteve politike ekzistuese.
“Gjenialiteti i projektit europian ishte pikërisht të ndante përkatësinë kombëtare nga oreksi territorial”, shkroi Rama, duke shtuar se shqiptarët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës dhe se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës.
Kryeministri theksoi gjithashtu se qëndrimi i Shqipërisë ndaj Kosovës nuk është i fshehtë dhe se Tirana nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë.
“Nuk ka asgjë klandestine në lidhje me këtë pozicion. Nuk ka pasur kurrë harta sekrete dhe nuk ka kufij të fshehur”, deklaroi Rama.
Ai nënvizoi se Shqipëria e respekton Serbinë dhe kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, duke shprehur njëkohësisht dëshirën që i gjithë rajoni të jetë pjesë e Europës.
Megjithatë, Rama argumentoi se fqinjësia e mirë nuk duhet të nënkuptojë që vendet e rajonit të pranojnë vetëm interpretimin serb të historisë.
Në fund të reagimit, kryeministri iu referua edhe lumit Ibër, duke theksuar se rrjedha e tij nuk ndikohet nga debatet politike dhe historike.
“Ndërkohë, Ibri, plotësisht i pavetëdijshëm për të gjithë kartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit”, përfundoi Rama.
