Kurti kërkon bashkëpunim me PDK-në pas formimit të Qeverisë së re
Qeveria e re e Kosovës është votuar në Kuvend, me Albin Kurtin që është zgjedhur kryeministër pasi mori 62 vota nga deputetët.
Pas përfundimit të votimit, Kurti ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, duke e cilësuar tejkalimin e përplasjeve politike si të nevojshëm për funksionimin e institucioneve të vendit.
Në veçanti, kryeministri i është drejtuar PDK-së, të cilën e ka ftuar të rikthehet në procesin institucional dhe të propozojë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit.
Kurti ka kërkuar që dallimet politike të lihen mënjanë dhe partitë të angazhohen për funksionalizimin e plotë të institucioneve të Kosovës.
Çështja e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë pjesë e ngërçit politik të ditëve të fundit. PDK-ja kishte insistuar që Vlora Çitaku të zgjidhej në këtë pozitë, ndërsa fillimisht kishte munguar mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje.
Më pas, VV-ja ka bërë të ditur se do ta mbështesë kandidaturën e Çitakut, duke krijuar mundësi për zhbllokimin e situatës dhe vazhdimin e punës së institucioneve.
