Një konflikt i dhunshëm me motive sentimentale është regjistruar të shtunën në mbrëmje pranë një lokali në Piazza Bernardino de Lera, në qytetin e Kremonës, Itali.
Në përleshje janë përfshirë gjashtë persona, pesë shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian. Në vendngjarje, policia ka identifikuar fillimisht tre shqiptarë, të moshave 29, 44 dhe 49 vjeç, si dhe një italian 50-vjeçar.
Sipas dëshmive të dhëna për autoritetet, katër prej personave kanë deklaruar se janë sulmuar nga dy persona të tjerë, të cilët i njihnin, menjëherë pasi kishin zbritur nga automjeti.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë konstatuar se disa prej personave të përfshirë kishin precedentë të mëparshëm penalë, përfshirë vepra kundër personit dhe pronës, si dhe çështje të lidhura me trafikun e drogës.
Pas veprimeve të para procedurale, autoritetet italiane kanë nisur hetim ndaj gjashtë personave, të cilët po hetohen në gjendje të lirë për përfshirjen në një konflikt me motiv sentimental.
