Të hënën, në orën 09:00, në Tiranë do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Konferencës së 42-të të Shoqatës së Ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter.
Në konferencë pritet të marrin pjesë rreth 235 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues të FBI-së dhe drejtues e punonjës të agjencive ligjzbatuese nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.
Në këtë aktivitet do të jenë të pranishëm Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe drejtues të tjerë të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese.
Pjesë e konferencës do të jetë gjithashtu Presidenti Ndërkombëtar i FBINAA-së, ndërsa nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë pritet të marrë pjesë Ambasadorja në detyrë dhe e Ngarkuara me Punë, Nancy Vanhorn.
Konferenca është një prej aktiviteteve të rëndësishme të FBINAA-së, ku përfaqësues të FBI-së dhe agjencive ligjzbatuese nga vende të ndryshme shkëmbejnë përvoja dhe diskutojnë mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
