Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia nuk ka qëllime agresive ndaj Evropës dhe se Moska është e gatshme të rikthejë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me vendet evropiane.
Gjatë një takimi të Komisionit Ushtarako-Industrial, Putin akuzoi disa liderë evropianë se po përgatiten për një përballje të mundshme me Rusinë. Sipas tij, konflikti në Ukrainë dhe pretendimet për një kërcënim rus po përdoren për të justifikuar politikat e tyre.
“Rusia nuk ka qëllime agresive ndaj Evropës ose vendeve evropiane. Nuk ka bazë për këtë. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të rindërtojmë marrëdhëniet me fqinjët tanë evropianë”, deklaroi Putin.
Presidenti rus ka kritikuar gjithashtu stërvitjet ushtarake të zhvilluara nga disa vende evropiane në Detin Baltik. Ai pretendoi se këto aktivitete përfshijnë edhe përgatitje për ndalimin dhe kapjen e anijeve civile.
Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Rusisë dhe vendeve evropiane lidhur me luftën në Ukrainë dhe sigurinë në rajon.
